Rama në pritje të përgjigjeve për bashkëqeverisje në Prishtinë, thotë se kabineti i ri prezantohet brenda dy javësh
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur sot lidhur me bashkëqeverisjen në kryeqytet, gjersa tha se janë në vazhdën e diskutimeve me të gjitha partitë politike.
Rama në një deklaratë para gazetarëve tha se shumë shpejt do ta prezantojë të gjithë kabinetin.
“Jemi në vazhdën e marrëveshjeve, diskutimeve me të gjitha partitë... puna po vazhdon në Kryeqytet. Të gjitha dikasteret janë në punim e sipër, kjo nuk është një qeverisje e re, është një vazhdimësi e katërvjeçarit të mëparshëm. Si e tillë, jemi duke i bërë disa ndryshime, disa gjëra kanë me qëndru të njëjta, disa ndryshime tashmë janë publike dhe po vazhdojmë në krijimin e ekipit për katër vitet e ardhshme”, tha ai.
Rama më tej tha se u ka bërë ftesë të gjitha partive për bashkëqeverisje.
“Jam në pritje përfundimtare, mendoj se ndoshta është një prolongim edhe për shkak të çështjeve edhe të niveleve tjera sepse kemi pas një numër të madh të zgjedhjeve në vitin 2025... tash e kemi edhe zgjedhjen e presidentit.
Pra, janë disa çështje që ndërlidhen edhe me nivelin lokal. Për këtë arsye po them që të kemi edhe pak durim. Me siguri që brenda shumë pak kohës, do ta bëjmë prezent të gjithë kabinetin. Pra, mendoj që deri në fund të javës së ardhshme ose në fillimin e javën tjetër, do ta kemi pasqyrën e plotë”, ka thënë Rama.
I pyetur se a nuk kanë mjaftuar disa muaj për formimin e kabinetit qeverisës në Prishtinë, ai tha “unë u kam bërë kërkesë publike të gjitha partive. Tash janë lajmëruar, disa, disa jo... disa presin edhe zgjedhjen e presidentit, pra nuk kam dashur me bëj presion ndaj asnjë partie...”, tha ai. /telegrafi