Sot deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit për pengim të drejtësisë

Sot deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit për pengim të drejtësisë

Aktuale February 27, 2026 - 07:43

Sot, më 27 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.

Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu dhe Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza dhe Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024.

Pas konfirmimit të Aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.

Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.

Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.