BE-ja nuk komenton audio-incizimet: Reforma e KPK-së duhet zbatuar plotësisht
Pyetur në lidhur me audioincizimet e publikuara nga një mbledhje e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se pozicioni i saj është i qartë: zbatimi i reformës së KPK-së duhet të jetë i plotë, vendimet të jenë ligjore dhe transparente, dhe besimi i publikut në sistemin prokurorial duhet të ruhet.
Në një reagim zyrtar për RTK-në, Bashkimi Evropian në Kosovë ka theksuar se pozicioni i tij mbi reformën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane.
Ndërsa BE-ja nuk komenton regjistrimet e pretenduara, qëndrimi i saj mbi reformën e KPK-së ka qenë publik dhe i qëndrueshëm.
"BE-ja ka bashkëpunuar me KPK-në gjatë këtij procesi dhe ka bërë thirrje të përsëritur që të gjithë anëtarët të zbatojnë plotësisht reformën, të respektojnë procesin ligjor, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin publik në sistemin e drejtësisë. Bashkimi Evropian kërkon respekt të plotë të kornizës ligjore të Kosovës dhe procedurave përkatëse dhe nuk do t’i kërkojë asnjë institucioni të Kosovës të veprojë në kundërshtim me ligjin", thuhet në përgjijgje.
Sipas BE-së, zbatimi efektiv i Ligjit për KPK-në është thelbësor për të forcuar llogaridhënien, për të reduktuar praktikat korporatiste dhe për të siguruar që Këshilli të funksionojë në interesin publik – duke shërbyer sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve të Kosovës, jo interesave individuale.
"Besueshmëria e sistemit prokurorial varet nga vendime që janë të ligjshme, transparente dhe të marra në përputhje me parimet e sundimit të ligjit dhe standardet evropiane", thekson zyra e BE-së në Kosovë.
BE-ja nënvizon se çdo përpjekje për të vonuar, bllokuar ose minuar zbatimin e reformës, ashtu siç parashikohet në kornizën ligjore të Kosovës, është e papranueshme dhe rrezikon të minojë besimin publik dhe të ngadalësojë përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.
Bashkimi Evropian inkurajon të gjithë aktorët që ndajnë këto vlera të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në procesin e reformës, në mënyrë profesionale dhe me respekt, për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi prokurorial që gëzon besimin e qytetarëve dhe mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës.