Osmani në takim me Prattipatin, rithekson rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë

Osmani në takim me Prattipatin, rithekson rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë

Aktuale February 26, 2026 - 14:53

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Në një komunikatë për media nga Presidenca, tha se gjatë takimit u diskutuan vizita e fundit e Prattipatit në SHBA, takimet me zyrtarë të lartë amerikanë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancitë për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për kontribut të vazhdueshëm.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, veçanërisht në fushën e sigurisë rajonale, diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes.

Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.

Takimi përfshiu edhe diskutime mbi zhvillimet politike në vend, me fokus në përmbylljen e proceseve kushtetuese dhe konsolidimin institucional, si dhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e Policisë së Kosovës për vitin 2025.

Tutje thuhet se presidentja Osmani nënvizoi se situata aktuale është dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për qytetarët në këtë pjesë të vendit, duke treguar përkushtimin e shtetit për stabilitet dhe zhvillim demokratik./Zëri