Rama njofton për nënshkrimin e deklaratës për projektin e varrezave të kryeqytetit

Rama njofton për nënshkrimin e deklaratës për projektin e varrezave të kryeqytetit

Aktuale February 26, 2026 - 13:36

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit.

Sipas Ramës, prej disa muajsh kryeqyteti ka zhvilluar një proces të strukturuar pune dhe koordinimi me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, me qëllim rregullimin dhe zhvillimin e Varrezave të Kryeqytetit si hapësirë e përbashkët qytetare.

Deklarata është nënshkruar nga Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Agim Qerkini, famullitar në Famullinë e Prishtinës, si dhe Pastor Driton Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

Sipas njoftimit, dokumenti pasqyron pajtimin dhe vullnetin e përbashkët të palëve për të kontribuar në zhvillimin e një modeli që garanton funksionimin e varrezave si hapësirë publike në shërbim të të gjithë banorëve dhe rezidentëve të Prishtinës, pa dallim.

Po ashtu, theksohet se do të sigurohet respektimi i riteve dhe praktikave fetare sipas traditave përkatëse, si dhe administrim profesional dhe institucional, në përputhje me standardet e dinjitetit dhe respektit publik.