IKD-ja padit Ministrinë e Shëndetësisë, kërkon shfuqizimin e tarifës 3 euro për shoqëruesit e pacientëve

IKD-ja padit Ministrinë e Shëndetësisë, kërkon shfuqizimin e tarifës 3 euro për shoqëruesit e pacientëve

Aktuale February 26, 2026 - 12:25

 Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar të enjten padi në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2024- Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore. Padia kundërshton specifikisht pikën 4 të Shtojcës 3 dhe pikën 5 të Shtojcës 4 të këtij UA, të cilat parashohin obligimin për pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.

IKD përmes padisë konsideron se këto pika janë të kundërligjshme, pasi që përmes një akti nënligjor është krijuar një kategori e re tarifimi që nuk gjen bazë në Ligjin për Shëndetësi, derisa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet “shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore” në kuptim të ligjit.

IKD në padi ndër të tjera potencon se “në mungesë të një dispozite të qartë në ligj që e njeh qëndrimin e shoqëruesit si “shërbim shëndetësor”, Ministria nuk ka bazë ligjore që ta kualifikojë atë si objekt bashkë-pagese përmes një akti nënligjor. Për rrjedhojë, paditësi konsideron se pika 4 e Shtojcës 3 dhe pika 5 e shtojcës 4 e Udhëzimit Administrativ të atakuara me këtë padi, janë të kundërligjshme, sepse formulimi në këto pika tejkalon autorizimin e dhënë nga ligji, duke e zgjeruar konceptin e “shërbimit shëndetësor” përtej asaj që është përcaktuar shprehimisht nga Ligji për Shëndetësi.  Në këtë drejtim, paditësi konsideron se një akt nënligjor nuk mund të krijojë kategori të reja tarifimi që nuk gjejnë bazë në ligjin primar, sidomos kur ato ndikojnë në ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve. Në këtë rast, mungon edhe baza materiale për ta konsideruar qëndrimin e shoqëruesit si shërbim, e gjithashtu edhe lidhja e nevojshme juridike midis tarifës dhe një veprimtarie shëndetësore të ofruar nga institucioni publik ndaj atij personi.”

Andaj, IKD konsideron se Ministria ka tejkaluar kompetencat e saj, duke zgjeruar përmes aktit nënligjor konceptin e “shërbimit shëndetësor” përtej asaj që është përcaktuar qartë në ligjin primar.