Nazarko: Vjosa Osmani i mbajti gjallë raportet e Kosovës me Perëndimin
Foto: Laura Hasani

Nazarko: Vjosa Osmani i mbajti gjallë raportet e Kosovës me Perëndimin

Aktuale February 26, 2026 - 09:28

Analisti politik Mentor Nazarko ka vlerësuar rolin e presidentes Vjosa Osmani në ruajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, duke thënë se ajo ka ndikuar në mbajtjen e hapur të komunikimit me partnerët perëndimorë.

Nazarko deklaroi se Osmani ka garantuar vazhdimësi në raportet me aleatët ndërkombëtarë, në kohë kur Kosova është përballur me vështirësi në komunikim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Shqipëria është e interesuar që të ketë vijimësi të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërkombëtare që u instaluan posaçërisht me presidencën Osmani. Kjo duhet thënë, që presidentja Osmani, ky është vlerësimi im individual, e ka mbajtur të hapur derën e Perëndimit edhe në momentet kur Kosova ka pasur vështirësi në komunikim, qoftë me ShBA-në ose me BE. Dhe kështu, në shtete të vogla si Kosova, është e vështirë të gjesh figura të cilat mund të garantojnë këtë lloj vazhdimësie ose këtë lloj intensifikimi të marrëdhënieve të mira me Perëndimin”, deklaroi Nazarko në Klan Kosova.