Spiropali pas takimit me Osmanin: Moment i duhur që BE-ja t’ia japë statusin kandidat Kosovës
Foto: Laura Hasani

Spiropali pas takimit me Osmanin: Moment i duhur që BE-ja t’ia japë statusin kandidat Kosovës

Aktuale February 25, 2026 - 13:28
Takimi me Osmanin, Spiropali: Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Kosovë është pritur edhe nga e para e shtetit, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se e vlerëson angazhimin e Osmanit në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe vendet e BE-së.

“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit për heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE-ja të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, ka shkruar Spiropali.

Ajo sot ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcën, si dhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.