KOMF-i kundërshton vendosjen e pagesës për prindërit e fëmijëve mbi 15 vjeç gjatë hospitalizimit

KOMF-i kundërshton vendosjen e pagesës për prindërit e fëmijëve mbi 15 vjeç gjatë hospitalizimit

Aktuale February 25, 2026 - 11:01

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin për vendosjen e pagesës ditore për prindërit, kujdestarët ligjorë ose përcjellësit e fëmijëve mbi moshën 15 vjeç, gjatë qëndrimit të tyre në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme.

Sipas KOMF-it, ky vendim bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi dhe me konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, transmeton Zeri.info.

Organizata rikujton se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, në Nenin 3, nënparagrafi 1.1, përcakton se fëmijë konsiderohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, përveç rasteve kur mosha madhore arrihet më herët sipas legjislacionit përkatës. Po ashtu, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës e përkufizon fëmijën si çdo person nën moshën 18-vjeçare.

Në të njëjtën linjë, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, në Nenin 7.4, garanton të drejtën e fëmijës që gjatë qëndrimit në institucion shëndetësor me shtretër ta ketë pranë prindin, përfaqësuesin ligjor ose një të afërm të përcaktuar.

Për rrjedhojë, sipas KOMF-it, kufizimi i mbështetjes apo vendosja e barrës financiare për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve nga mosha 15 deri në 18 vjeç është në kundërshtim me përkufizimin ligjor të fëmijës dhe cenon parimin themelor të interesit më të mirë të fëmijës.

KOMF-i thekson se prania e prindit apo kujdestarit ligjor gjatë hospitalizimit është thelbësore për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të fëmijës. Sipas organizatës, një vendim i tillë rrezikon të krijojë barriera shtesë për familjet dhe të ndikojë negativisht në qasjen e barabartë në shërbime shëndetësore.

Po ashtu, vlerësohet se në shumë raste prindërit apo kujdestarët kryejnë rol mbështetës brenda institucioneve shëndetësore, duke ndihmuar në kujdesin ndaj fëmijëve të hospitalizuar. Sipas KOMF-it, ky kontribut duhet të njihet dhe të vlerësohet, e jo të penalizohet përmes vendosjes së pagesës.

Në fund, KOMF-i u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta rishqyrtojnë vendimin dhe të harmonizojnë çdo akt administrativ me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare, duke vendosur në qendër interesin më të mirë të fëmijës. /Zëri