Arrest shtëpiak për Grubin, “kacafytje” mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së
Foto: Laura Hasani

Arrest shtëpiak për Grubin, “kacafytje” mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

Aktuale February 24, 2026 - 08:08

Arresti shtëpiak për Artan Grubin ka bërë që dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, të përfshihen në një përplasje të ashpër akuzash.

Ndërsa socialdemokratët e cilësojnë këtë vendim si një marrëveshje të paracaktuar mes qeverisë dhe BDI-së, nga partia në pushtet VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se paniku i LSDM-së buron nga frika se Grubi mund të dëshmojë për krimet e tyre të përbashkëta.

LSDM: Gjithçka është e dakorduar paraprakisht

Sipas partitë opozitare LSDM, caktimi i arrestit shtëpiak është konfirmimi përfundimtar se sistemi i drejtësisë ndodhet nën kontrollin e plotë të kryeministrit Mickoski. Ata akuzojnë se i gjithë procesi i kthimit të Grubit ishte një skenar i mirëpërgatitur.

“Marrëveshja VMRO–BDI po zbatohet para syve të publikut. Fillimisht me kthimin e dakorduar dhe xhirimin e regjizuar në kufi. Kamerat nuk punuan kur ai iku, por tani që u kthye, ka kamera në çdo hap. Nëse dikush ka ikur një herë nga shteti, mbi çfarë baze i caktohet arrest shtëpiak?”, pyesin nga LSDM, duke shtuar se asgjë nuk është e rastësishme dhe se mbetet vetëm të shihet çmimi i kësaj marrëveshjeje.

VMRO-DPMNE: LSDM është në panik nga dëshmia e Grubit

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja i ka hedhur poshtë këto akuza, duke ia faturuar vendimin prokurorisë, për të cilën thonë se gëzon vetëm 2% besueshmëri pikërisht për shkak të politikave të kaluara të LSDM-së.

“LSDM duhet të merret vesh me veten. Në fakt, ata janë në panik sepse shoku i tyre kriminel, Artan Grubi, mund të flasë për të gjitha krimet ortake të qeverive të kaluara. Kutia e zezë për krimet e LSDM-së dhe BDI-së ra. Është vetëm çështje kohe kur zyrtarët e frikësuar të LSDM-së do t’i bëjnë shoqëri Grubit në bankat e gjykatës”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.

Ky zhvillim vjen pas vendimit të Prokurorisë së Shkupit për të kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin, pas kthimit të tij nga arratia 14-mujore. (INA)