Dëshmitari i Thaçit Duncan: Pres me padurim përgjigjen e Prokurorisë në Hagë
Ish-ambasadori britanik, John Stewart Duncan, i cili ishte dëshmitari i tretë i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar lidhur me zhvillimet në këtë çështje.
Përmes një postimi në platformën X, ai e ka përshkruar javën si “jashtëzakonisht domethënëse” për ekipin e mbrojtjes, duke vlerësuar paraqitjen e fjalëve përfundimtare dhe duke theksuar rëndësinë e përmbledhjes së detajuar që kishte ofruar gjatë dëshmisë së tij.
Duncan ka shtuar se pret me interes reagimin e Prokurorisë ndaj dëshmisë së tij, duke ironizuar mbi qëndrimin e saj se ai gjoja kishte njohuri të kufizuara për situatën në terren në kohën përkatëse.
“Një javë tejet domethënëse në Dhomat e Specializuara. Pres me padurim që të dëgjoj prokurorinë të shpjegojë se si përmbledhja shumë e detajuar që e përmenda disa herë në dëshminë time përfaqëson ‘njohuri të pakta … mbi realitetin në terren’”, ka shkruar Duncan.