Buxheti 2026, Abdixhiku: I paplotë, joserioz dhe s’reflekton as vetë kabinetin qeveritar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë me një njoftim, lidhur me mospajtimet për votim të Projektligjit për Buxhetin 2026.
Ai tha se Buxheti i Republikës ishte i paplotë, joserioz dhe, mbi të gjitha, sipas tij, nuk e reflektonte as vetë kabinetin e propozuar qeveritar.
“Katër ministri të reja nuk kishin fare buxhet. Pra buxheti i Qeverisë nuk kishte në vete as vet Qeverinë. Nuk kishte as të gjitha komunat, Kryeqytetin përkatësisht i cili ishte lënë sërish pa financim, e as zotimet e shpalosura nga kreu i qeverisë tre ditë më parë po në këtë Kuvend. Fjalët, pa buxhet pas, mbesin veç fjalë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tha se si LDK, në seancën e sotme të Kuvendit kërkuan reflektim institucional dhe që deputetët të kenë kohë të mjaftueshme për ta trajtuar seriozisht ligjin më të rëndësishëm të vendit.
“Kërkuam që buxheti të reflektojë realitetin institucional dhe që deputetët të kenë kohë të mjaftueshme për ta trajtuar seriozisht ligjin më të rëndësishëm të vendit. Nuk ka dhe nuk njohim superdeputetë që i lexojnë 700 faqe për më pak se 3 orë; siç donin ta trajtonin sonte disa”.