Fushtica: Nga tërmeti nuk raportohet për dëme të serioze apo persona të lënduar

Fushtica: Nga tërmeti nuk raportohet për dëme të serioze apo persona të lënduar

Aktuale February 10, 2026 - 23:06

Lulzim Fushtica, Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet, ka njoftuar se nga tërmeti i sontëm, nuk raportohet për dëme serioze apo persona të lënduar.

“Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi”, tha Fushtica.

Ndër të tjera, ai publikoi edhe disa udhëzime për qytetarët në raste tërmetesh:

Ruani qetësinë dhe informohuni vetëm nga burime zyrtare.

Në rast të lëkundjeve të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien.

Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës.

Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura.

Mos përdorni ashensorët dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të automjeteve.

Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime eventuale dhe ndihmoni personat në nevojë.

“Çdo informacion shtesë do të komunikohet në kohë reale përmes kanaleve zyrtare”, tha Fushtica.

Instituti Sizmologjik i Kosovës njoftoi pak më parë se në ora 22:05, territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore (Prizren–Shtërpcë), është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter, respektivisht me intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.

Thellësia hipoqendrore ishte 5 km, ndërsa epiqendra 23 km në lindje të Prizrenit.

“Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën”, tha Instituti.

Lexues të Klankosova.tv kanë raportuar në vazhdimësi se i kanë ndier dridhjet e tokës nga pothuajse çdo rajon i vendit. Deri më tani, dëme materiale duket të jenë shkaktuar në Prizren, sipas pamjeve nga një qendër tregtare.

Ndërkaq, disa nxënës e pushues në Brezovicë kanë dalë jashtë pas lëkundjeve të tokës.