Arifaj: Nëse verdikti do të jetë që UÇK-ja ka qenë fajtore, s’është larg dita që do të kontestohet edhe shpallja e pavarësisë
Ardian Arifaj, ish-këshilltari i Hashim Thaçit gjatë kohës sa ky i fundit ishte president, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të dënohen me nga 45 vjet burgim, shkruan Zeri.info.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Arifaj ka thënë se në Hagë po gjykohet e po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e tërë aspirata për liri, për barazi, për drejtësi, që ka guxuar të aspirojë dikush në Kosovë.
“Dhe, nëse nesër verdikti do të jetë që UÇK ka qenë fajtore, atëherë nuk do të jetë e largët dita kur do të kontestohet e drejta e çdo kosovari për liri, për shtet të pavarur, aspirata për të qenë i barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit e Evropës. Do të kontestohet lufta e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë. Nuk është çështja vetëm se a ka kërkuar prokuroria 45 vite apo 45 ditë për Hashim Thaçin e Kadri Veselin e Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ata nuk është dashur të mbahen as 45 minuta. Është e paimagjinueshme që në Evropë, në shekullin XXI, ata po mbahen në paraburgim më shumë se 5 vjet. Çështja është se me insinuata që nuk u mbështetën me dëshmi bindëse, po tentohen të dënohen me burg të përjetshëm këta të katër. E me dënimin e tyre, po dënohet e tërë Kosova, e kaluar e saj por edhe e ardhmja e saj”, ka shkruar Arifaj ndër të tjera.
Reagimi i plotë i Arifajt, pa ndërhyrje:
Pra, sipas Dhomave të Specializuara, në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë gjithçka ka qenë në rregull, jeta ka qenë e lumtur, njerëzit kanë qenë të kënaqur. Por, disa katundarë të Drenicës kanë guxuar të ëndërrojnë të marrin pushtetin dhe kanë konkluduar se mënyra më e mirë për të marrë pushtetin është duke punuar që Kosova të bëhet shtet i pavarur. Për këtë qëllim, e kanë themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë filluar të sulmojnë aparatin shtetëror të Serbisë në Kosovë.
Pra, megjithatë, në Hagë po gjykohet e po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e tërë aspirata për liri, për barazi, për drejtësi, që ka guxuar të aspirojë dikush në Kosovë.
Dhe, nëse nesër verdikti do të jetë që UÇK ka qenë fajtore, atëherë nuk do të jetë e largët dita kur do të kontestohet e drejta e çdo kosovari për liri, për shtet të pavarur, aspirata për të qenë i barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit e Europës. Do të kontestohet lufta e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë.
Nuk është çështja vetëm se a ka kërkuar prokuroria 45 vite apo 45 ditë për Hashim Thaçin e Kadri Veselin e Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Ata nuk është dashur të mbahen as 45 minuta. Është e paimagjinueshme që në Evropë, në shekullin XXI, ata po mbahen në paraburgim më shumë se 5 vjet.
Çështja është se me insinuata që nuk u mbështetën me dëshmi bindëse, po tentohen të dënohen me burg të përjetshëm këta të katër. E me dënimin e tyre, po dënohet e tërë Kosova, e kaluar e saj por edhe e ardhmja e saj. /Zëri