IKD-ja padit UP-në

IKD-ja padit UP-në

Aktuale February 10, 2026 - 15:13

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme, përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e aktit nënligjor normativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, saktësisht dispozitën e Nenit 18, paragrafi 7 dhe fusnotën 16 për Procedurat Përzgjedhëse Lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Sipas IKD-së, këto dispozita janë të kundërligjshme, cenojnë të drejtat e palëve, kanë efekt retroaktiv, nuk janë në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), cenojnë pritjet legjitime dhe të drejtën në pronë.

Në padi thuhet se më 3 qershor 2025, Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar Rregulloren për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në UP.

Objekt i kësaj padie është Neni 18, paragrafi 7, i Rregullores, si dhe fusnota 16 e saj, e cila, ndonëse e formuluar si fusnotë, ka karakter të qartë normativ, pasi vendos kritere materiale detyruese për vlerësimin e punimeve shkencore dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta juridike në procedurat për emërim, avancim dhe rizgjedhje të personelit akademik.

Sipas IKD-së, fusnota 16 nuk ka karakter shpjegues apo sqarues, por përmban rregullim substancial, duke përcaktuar se në cilat rrethana punimet “nuk merren parasysh”, çka ndikon drejtpërdrejt në të drejtat dhe interesat juridike të kandidatëve. Andaj, IKD vlerëson se fusnota 16 përbën normë nënligjore të zbatueshme, e cila duhet t’i nënshtrohet të njëjtit test ligjshmërie sikurse dispozitat tjera të Rregullores.

Sipas padisë së ushtruar më 5 shkurt 2026, baza ligjore e miratimit të kësaj Rregulloreje është Statuti i UP-së dhe Ligji për Arsimin e Lartë. Aty thuhet se në fusnotën 16 të Rregullores, është vendosur një standard në lidhje me vlerësimin e punimeve akademike, të cilat kanë një rëndësi kruciale në të gjitha proceset, të cilat janë objekt i trajtimit të kësaj rregulloreje.

Specifikisht, padia potencon se në faqen 23 të Rregullores, fusnota 16 thekson se “Bazuar në Statutin e UP-së dhe aktet tjera ligjore në fuqi, si punime të publikuara në revista shkencore, gjatë vlerësimit të kandidatëve të paraqitur në konkurs për emërim për herë të parë, si dhe në procedurën për avancim dhe rizgjedhje, vlejnë punimet e fushës, të publikuara në revista ndërkombëtare dhe vendore, nga botues kredibilë për publikime shkencore dhe të cilat janë të indeksuara në bazat akademike Web of Science (SCIE, SSCI, AHCI, ESCI) dhe Scopus (Q1-Q4). Punimet e publikuara në revista të indeksuara në Web of Science dhe Scopus nuk merren parasysh nëse në fazën e vlerësimit në momentin e marrjes së vendimit përfundimtar konstatohet që revistat përkatëse janë të përfshira në listën e revistave ose botuesve të dyshimtë ose konsiderohen të dyshimta nga senati konform nenit 18, paragrafi 7, të kësaj rregulloreje, ose punimi në ndërkohë është larguar nga revista ose revista është larguar nga Scopus për ndonjërën nga arsyet në vijim: Publication Concerns, Radar, Metrics, Continuous Curation. (Komisioni vlerësues duhet të marrë parasysh databazën e fundit të Scopus). Në rastin kur indeksimi i revistës është i ndërprerë (inactive), por jo për arsyet e lartcekura, në Scopus apo Web of Science dhe e njëjta nuk është përfshirë në listën e botuesve dhe revistave të dyshimta, publikimi llogaritet vetëm nëse figuron në profilin e databazave përkatëse. Për pranimin e punimeve vlejnë dispozitat e shtojcës VII mbi përkufizimet, termat dhe sqarimet në lidhje me kriteret për emërim, avancim dhe rizgjedhje të personelit akademik”.

Ndërsa, thuhet se Neni 18, paragrafi 7, i kësaj Rregulloreje përcakton se “Senati rezervon të drejtën që në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”. Kjo dispozitë, IKD vlerëson se i jep Senatit një kompetencë diskrecionale jashtëzakonisht të gjerë, pa përcaktuar kritere materiale, procedurale apo standarde objektive mbi bazën e të cilave ushtrohet kjo e drejtë.

Sipas IKD-së, në praktikë, kjo nënkupton se kandidatët të cilët kanë publikuar punime shkencore në revista që, në momentin e publikimit, kanë qenë të indeksuara dhe të pranueshme sipas kritereve në fuqi, mund të penalizohen më vonë për shkak të zhvillimeve të mëvonshme lidhur me statusin e revistës, pavarësisht se këto zhvillime nuk kanë asnjë lidhje me punimin konkret apo me sjelljen e kandidatit.

IKD-ja thekson se Rregullorja krijon dy kategori të ndryshme vlerësimi, të cilat përzihen dhe mbivendosen pa qartësi normative: njëra lidhet me rastet kur revista është futur në listë të dyshimtë ose nuk është më e indeksuar, dhe tjetra, sipas Nenit 18 paragrafit 7, lejon tërheqjen e njohjes së publikimit në çdo moment, pa u bazuar në kritere të paracaktuar

Në padi thuhet se ndryshimet e mëvonshme në statusin e revistës ose interpretimi ndryshe institucional çojnë në penalizimin e kandidatit pa asnjë faj të tij, duke cenuar parimet e sigurisë juridike, pritjes legjitime dhe ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrjen administrative.

Gjithashtu, në padi thuhet se Rregullorja në fjalë është e kundërligjshme, pasi tejkalon bazën e saj- Ligjin për Arsimin e Lartë dhe vendos standarde që nuk burojnë nga akti më i lartë normativ brenda Universitetit të Prishtinës.

Në padi thuhet se përmes Rregullores së kontestuar, kandidati privohet nga efektet pasurore dhe profesionale të punimeve të tij, për shkak të zhvillimeve të mëvonshme që lidhen me statusin e revistës, zhvillime këto që nuk kanë qenë të parashikueshme dhe nuk varen nga vullneti apo sjellja e kandidatit.

Andaj, IKD-ja e përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv Ehat Miftaraj, ka kërkuar që të deklarohet i paligjshëm dhe të shfuqizohet paragrafi 7 i nenit 18 dhe fusnota 16 e Rregullores për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Po ashtu, me padi kërkohet që të detyrohet e paditura - UP që t’i paguajë shpenzimet procedurale në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /BetimipërDrejtësi