Behrami fton Prokurorinë Speciale të Kosovës t’i hetojë Kimberly Westin dhe Jack Smithin

Behrami fton Prokurorinë Speciale të Kosovës t’i hetojë Kimberly Westin dhe Jack Smithin

Aktuale February 10, 2026 - 13:03

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit dhe njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ndaj kryeprokurores Kimberly West, e cila gjatë ditës së martë ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

“Ne kërkojmë që mbi bazën e provave të paraqitura, që të akuzuarit të japin llogari dhe t’u jepet dënimi i duhur”, ka thënë ajo.

Behrami, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka ftuar Prokurorinë e Speciale të Kosovës të fillojë hetim për kryeprokuroren Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Kimberly West dhe për ish-kryeprokurorin Jack Smith.

“Meqë qenka kështu, ftoj Prokurorinë e Kosovës me seli në Prishtinë për fillimin e hetimeve kundër Kimberly West dhe Jack Smith për këto vepra: Sulm dhe përmbysje e rendit kushtetues; Spiunazh; Sabotim; Rrezikim i rendit kushtetues; Organizim ose mbështetje e veprimeve antikushtetues etj.”, ka shkruar ai.

Kurse, kryeprokurorja Kimberly West, e cila të hënën kërkoi 180 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në përfundim të deklarimeve për secilin veç e veç kërkoi sërish që të akuzuarve t’u jepet dënimi i merituar.

Ajo theksoi se askush nuk është mbi ligjin, duke shtuar se edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari për krimet e kryera.