Ministria e Arsimit: Dhuna në shkolla e papranueshme dhe çdo rast do të trajtohet me seriozitet maksimal

Ministria e Arsimit: Dhuna në shkolla e papranueshme dhe çdo rast do të trajtohet me seriozitet maksimal

Aktuale February 10, 2026 - 12:45

Ministria e Arsimit ka thënë se dhuna në institucionet arsimore, në çdo formë dhe nga cilido që vjen, është e papranueshme dhe nuk ka vend në shkolla. Shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt, ku mbizotëron respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.

Rasti i ndodhur dje në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, po ashtu si edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon se dhuna prek gjithë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Ministria thekson se asnjë formë dhune nuk duhet të anashkalohet ose relativizohet.

Ministria e Arsimit thotë se ka vendosur mekanizma ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Çdo rast duhet të trajtohet me seriozitet maksimal dhe të raportohet në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA), ndërsa mosraportimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.

Tutje thuhet se, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, e cila ka të miratuar Rregulloren për organizimin e punës në shkolla, ka obligim të sigurojë zbatimin e masave edukativo-arsimore dhe çdo vonesë apo mosveprim konsiderohet dështim institucional.

Pas raportimeve mediatike për rastin në shkollën “Pavarësia”, Inspektorati i Arsimit ka dalë menjëherë në terren dhe ka realizuar inspektim, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera. Të gjitha gjetjet që bien në kompetencën e Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.

Ministria e Arsimit thekson se parandalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Siguria në shkolla është obligim për të gjithë – drejtorët, prindërit dhe institucionet përgjegjëse. Vetëm përmes reagimit të menjëhershëm dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të garantohet një mjedis shkollor i sigurt dhe dinjitoz për nxënësit dhe stafin. /Zëri