Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së në Serbi, Koci: Iu gjet kartela e veteranit
Edhe një qytetar i Kosovës është arrestuar në Serbi. Për Mitehat Llozhanin, avokati i tij Arianit Koci thotë se nuk ka qenë në lista të ndalimit dhe shpesh e ka frekuentuar udhëtimin nëpër Serbi.
Sipas tij, arrestimi ka ardhur pasi i është gjetur një kartele e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rrugën nga Kroacia për në Kosovë, Mitehat Llozhani po e bënte përmes Serbisë.
E pasi e kaloi kufirin Kroaci-Serbi, në pikën Batrovci, ai u arrestua nga autoritetet serbe.
Krejt kjo pasi në kuletën e tij u gjet kartela e veteranit.
Avokati i tij, Arianit Koci thotë se këtë rrugë ai e bënte shpesh dhe asnjëherë nuk ka qenë në listën e ndalimit.
Sipas Kocit, ndalimi i tij u bë gjatë një bastisje pas kalimit kufitar dhe familja janë të shqetësuar shumë.
“Procedimi penal ka filluar vetëm pasi i është gjetur kartela e veteranit. Gruaja e tij ka deklaruar se ai e ka kaluar këtë pikë kufitare shumë herë, madje edhe 10 ditë më parë, pa asnjë problem”, tha Koci.
Problem ai e sheh edhe deklaratën e ministrit të punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daciq, që për të ngjall tensione.
“Pas kësaj, për të tensionuar situatën dhe për të ushtruar presion ndaj organeve të drejtësisë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka deklaruar publikisht se është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999”, tha ai.
Si veprim politik, avokati thotë se duhet të mbyllet kufiri në mes dy shteteve për 24 orë.
“Ndoshta si veprim politik do të ishte e nevojshme mbyllja e përkohshme e kufirit Kosovë–Serbi, për disa orë apo 24 orë, në mënyrë që të sensibilizohet çështja dhe të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar”.
Kryetari i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë, Gazmend Syla thotë se Llozhani nuk ka qenë në front të luftës.
Sipas Sylës, në atë kohë ai ka pasur probleme shëndetësore.
“E njoh edhe në luftë, por Mitehat Lozhanin ne e njohim në Shqipëri kur kemi shku një grup ne prej Dukagjinit me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj për stërvitje. Ky na është bashkëngjit neve në Shqipëri, ka ardhë me neve në stërvitje, kemi stërvitë disa kohë bashkë me grupin tonë sepse ka pas dëshirë me iu bashkëngjit grupit tonë. Pastaj pas stërvitjeve kur i kemi bë disa mujore kur kemi provu me u kthy në Kosovë dikund para se mu afru te kufiri Mitehat Lozhani po edhe një grup tjetër nuk na kanë bashkëngjitë neve për në Kosovë, nëse nuk gaboj Mitehati ka pas probleme shëndetësore. Ne si grup kemi ardhur të gjithë në Kosovë dhe kemi vazhdu luftën, por ai asnjëherë nuk ka qenë nëpër vija të frontit, unë e njoh personalisht dhe kemi pas komunikim dhe nuk ka asnjë luftëtar në pjesën e Dukagjinit që mund të dëshmojë që ka qenë me zotëri Lozhanin në front”, deklaroi Syla.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë kërkuar që të rritet presioni ndërkombëtar për këto raste.
“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Së fundmi, autoritetet serbe vazhdimisht kanë bërë arrestimin e qytetarëve nga Kosova të cilët kanë udhëtuar nga Serbia.