Kurti: Po përgatitemi që sa më shpejt t’i konstituojmë institucionet
Foto: Laura Hasani

Kurti: Po përgatitemi që sa më shpejt t’i konstituojmë institucionet

Aktuale February 04, 2026 - 15:00

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se po përgatiten që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës e të formohet qeveria e re, meqë, sipas tij, duhet sa më shpejt të votohen buxheti e marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai tha që buxheti i Republikës duhet të përmbyllet në muajin shkurt, meqë tha se me 1 të 12-n e buxhetit nuk mund të vazhdojë edhe në muajin mars.

“Ne po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin e sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe Panin e Rritjes me Bashkimin Evropian që është 882,6 milionë euro, e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar atë që më së shumti e kemi përgjegjësi e obligim, por do të thosha edhe preferencë e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që më 1 të 12 Qeveria mund të vazhdojë vetëm edhe në muajin shkurt, për muajin mars nuk mund të vazhdojmë kësisoj , kështu që në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur buxhetin e vitit 2026”, deklaroi Kurti.

Ai paralajmëroi se kabineti i ri qeveritar do t’i ketë emrat që ishin propozuar kur nuk kishte arritur të zgjidhej Qeveria gjatë mandatit të kaluar, por tha sedo të ketë edhe emra të rinj.

“Do të ketë shumë prej emrave, të cilët tashmë i kam prezantuar edhe unë, edhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identik, do të ketë edhe emra të tjerë”, tha ai.

I pyetur për postin e presidentit të shtetit, tha se njëherë duhet t’i përmbyllin këta tre hapa e pastaj tha se do të ecin edhe me hapin e katërt “mbarë e mirë”, tha Kurti. /rtk