Arrestimi i Mitehat Llozhanit në Serbi, Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar

Arrestimi i Mitehat Llozhanit në Serbi, Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar

Aktuale February 06, 2026 - 14:32

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pasi dje është arrestuar në Serbi shtetasi i Republikës së Kosovës, Mitehat Llozhani, i cili është ndaluar sapo ka hyrë në territorin serb, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.

Sipas reagimit nga MPJD-ja, menjëherë pas marrjes së informacionit për rastin, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme diplomatike dhe institucionale.

Tutje thuhet se, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe informata shtesë lidhur me trajtimin e mëtejmë të rastit.

Po ashtu, për rastin janë njoftuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, përmes notave verbale, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Kosovës.

Në reagim thuhet se ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe, përmes Zyrës Ndërlidhëse, pritet të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se arrestime të tilla përbëjnë shkelje të normave dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe përbëjnë vazhdimësi të praktikave të keqtrajtimit ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës. /Zëri