Aktivisti Ajdini para KEDS-it: Në momentin që faturat shtrenjtohen, bojkotojmë pagesat dhe bllokojmë rrugë e institucione
Foto: Laura Hasani

Aktivisti Ajdini para KEDS-it: Në momentin që faturat shtrenjtohen, bojkotojmë pagesat dhe bllokojmë rrugë e institucione

Aktuale February 06, 2026 - 14:06

Qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar sot para zyrave të KEDS-it në Prishtinë kundër paralajmërimeve për një tjetër rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protestuesit akuzuan kompaninë për presion të vazhdueshëm financiar ndaj qytetarëve dhe për politika që, sipas tyre, po rëndojnë standardin e jetesës.

Aktivisti Erbilin Ajdini deklaroi se rritjet e faturave janë kthyer në praktikë të përhershme.

“Sot KEDS-i thjesht zgjat dorën drejt xhepit të qytetarëve dhe merr aq sa dëshiron”, tha ai, duke shtuar se “kjo nuk është më justifikim me kriza globale, por një model i vazhdueshëm shtrenjtimi”.

“Në momentin që faturat shtrenjtohen, nis bojkoti. Do të bojkotojmë pagesat dhe do të bllokojmë rrugë e institucione derisa politikat energjetike të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kapitalit”, tha ai.

Protestuesit kërkuan ndaljen e rritjes së çmimeve, transparencë në vendimmarrje dhe mbrojtje të interesit publik në sektorin e energjisë. /Zëri