Në Kosovë numri i vizitorëve në hotele shënoi rritje gjatë dhjetorit 2025
Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit dhjetor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotele janë regjistruar gjithsej 68,293 vizitorë, prej tyre 27,776 vendorë dhe 40,517 të huaj. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64,380 vizitorë, kjo paraqet një rritje prej 6.1 për qind të numrit të përgjithshëm të vizitorëve, transmeton Zeri.info.
Po ashtu, është shënuar rritje edhe në numrin e netqëndrimeve. Në total janë regjistruar 132,148 net-qëndrime, nga të cilat 71,624 (54.2%) nga vizitorët e huaj dhe 60,524 (45.8%) nga vizitorët vendorë.
Sa i përket shpërndarjes rajonale, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele, me 9,655 vizitorë dhe 26,550 netqëndrime, duke u renditur si rajoni më i frekuentuar nga turizmi i brendshëm gjatë këtij muaji.
ASK-ja njofton se krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, numri i vizitorëve të huaj ka shënuar një rritje prej 2.5 për qind. Në total, gjatë dhjetorit 2025 janë regjistruar 40,517 vizitorë të huaj, ku numri më i madh i tyre ka ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
Të dhënat tregojnë për një trend pozitiv në sektorin e hotelerisë, duke reflektuar rritje të interesimit si nga vizitorët vendorë ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë për Kosovën si destinacion turistik. /Zëri