SBASHK: Dalja në marsh është akt moral dhe qytetar
Foto: Laura Hasani

SBASHK: Dalja në marsh është akt moral dhe qytetar

Aktuale February 06, 2026 - 12:40

Kryesia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Sipas SBASHK-ut, ky marsh organizohet nga platforma “Liria ka Emër” dhe është plotësisht jo politik, duke përfaqësuar një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vjetësh po mbahen në paraburgim.

Në njoftim SBASHK-u thekson se kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike, pasi shumë nga çlirimtarët e UÇK-së ishin njëkohësisht arsimtarë dhe punëtorë të arsimit, të cilët u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit ishin pikërisht mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin në gjuhën shqipe, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri.

SBASHK-u vlerëson se falë sakrificës së tyre, luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve ndërkombëtarë, sot Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Sipas Sindikatës, përballë padrejtësive të zgjatura ndaj atyre që kontribuuan për lirinë, heshtja nuk është opsion.

“Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar. Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

“Pjesëmarrja juaj është zë për drejtësinë, respekt për sakrificën dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë”, përfundohet në thirrjen e SBASHK-ut.