Përparim Rama pritet në DASH, në fokus bashkëpunimi politik dhe investimet amerikane në Kosovë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është pritur sot në Uashington, D.C., në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku ka zhvilluar takim me Lyn Debevoise, zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe me përfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare.
Rama ka shkruar se gjatë takimit është rikonfirmuar partneriteti i fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në marrëdhëniet e ngushta me Prishtinën.
Diskutimet kanë përfshirë një sërë çështjesh politike dhe institucionale, përfshirë stabilitetin politik, rolin e parlamentit dhe të qeverisë, procesin e zgjedhjes së Presidentit, si dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi. Vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik dhe përgatitjeve për “Konferencën për Investime Amerikane”, e cila pritet të mbahet në Prishtinë gjatë muajit mars.
Rama ka theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit për realizimin e projekteve ekonomike, që synojnë forcimin e sektorit privat dhe krijimin e një klime të qëndrueshme e konkurruese për investime.
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori Debevoise ka rikonfirmuar përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur rritjen ekonomike të Kosovës, duke garantuar mbrojtjen e investimeve amerikane dhe duke kontribuuar në përparimin ekonomik afatshkurtër, si dhe në objektivat afatgjata rajonale për të ardhmen e vendit.