Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion
Me foshnjën pranë vetes, Arlinda paloste rrobat e vogla të saj në valixhe - gati për të shkuar në shtëpi.
Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ajo solli në jetë fëmijën e parë - me peshë gati tre kilogramë.
Ishte një moment që e kishte pritur dhe imagjinuar gjatë gjithë shtatzënisë.
“Normalisht, jam e lumtur”, thotë ajo, “por më duhet edhe pak kohë që ta marr veten, sepse kam lindur me operacion”.
Vendimi për prerje cezariane erdhi në fund të procesit nga mjekët e saj.
Në aspektin emocional, ajo nuk ishte e përgatitur.
“...por mjekët e vlerësuan si të nevojshme dhe unë u binda”, thotë Arlinda, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.
Dy nëna të reja në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në shtratin pranë saj, mëngjesin e 26 janarit, ndodhej edhe Pranvera, një nënë tjetër, me një histori të ngjashme, por një përvojë ndryshe.
Ajo kishte lindur fëmijën e parë në mënyrë natyrale, ndërsa këtë herë, procesi i mori rrjedhë tjetër.
“Dhimbjet më nisën në shtëpi, në Lipjan. Kur erdha në spital, më dërguan në sallën e lindjes. Qëndrova gati dy orë dhe nuk munda të lind normalisht. Më thanë se duhet operacion”, rrëfen Pranvera, duke shtuar se, përveç humbjes së ujit të bebes, arsye tjetër nuk i është shpjeguar.
Dy gra, dy lindje, dy histori personale. Por, të dyja pasqyrojnë të njëjtin realitet shëndetësor në Kosovë: rritjen e ndjeshme të lindjeve me prerje cezariane.
Kulmi i tyre u arrit në vitin 2024, kur gati gjysma e lindjeve në vend u realizuan me operacion.
Por, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ky trend nuk është i njëjtë në të gjitha institucionet: në vitin 2024, spitalet private dominuan për nga numri i lindjeve me prerje cezariane.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon prerjen cezariane si një ndërhyrje kirurgjikale, që përdoret për të shpëtuar jetën e nënave dhe foshnjave kur komplikimet e bëjnë lindjen natyrale të rrezikshme.
Ndërsa është e dobishme kur ekzistojnë arsye të qarta mjekësore, OBSH-ja paralajmëron kundër përdorimit pa nevojë të prerjes cezariane, duke theksuar se ajo “duhet të kryhet vetëm kur është realisht e domosdoshme për të shmangur rreziqet për nënën ose foshnjën”.
Sipas studimeve, aplikimi i panevojshëm ose i tepruar i prerjes cezariane mund të rrisë rrezikun e komplikimeve post-operative, infeksioneve dhe problemeve të mëvonshme obstetrike për gratë.
Frika nga përgjegjësia
Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, gjatë vitit 2025, u realizuan mbi 7 mijë lindje, prej të cilave 3.074 me prerje cezariane.
Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se mjekët shpesh përballen me dilema të vështira.
“Ka raste kur mjekët druajnë se, nëse këmbëngulin në lindje natyrale dhe ajo komplikohet në momentin e fundit, mund të përballen me pasoja serioze”, thotë Ndrejaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, operacioni nuk duhet të jetë opsioni i parë, por shpesh bëhet i tillë për shkak të mungesës së protokolleve të qarta.
Ai shton se klinika trajton edhe raste të rënda dhe urgjente të referuara nga e gjithë Kosova - çka ndikon po ashtu në statistika.
“Po respektohet dëshira e pacientes”
Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës konfirmon rritjen e lindjeve me prerje cezariane.
Kryetari i saj, Naser Rafuna, thotë se një faktor i rëndësishëm në këtë trend është kërkesa e vetë grave.
“Gjeneratat e reja janë shumë të interesuara për lindje me operacion. Po respektohet dëshira e pacientes, të them të drejtën”, shprehet ai, duke shtuar se presioni nga familjarët dhe frika nga komplikimet e lindjes normale, i shtyjnë gjinekologët të tërhiqen.
Por gjinekologu Arbër Lila, i cili punon në spitalin e Gjakovës, thekson se përgjegjësia për rritjen e lindjeve me prerje cezariane nuk bie vetëm mbi nënat.
“Edhe ne, si profesionistë, e kemi atë pjesën e ‘kontributit tonë’ në rritjen kaq të madhe të lindjeve cezariane”, thotë ai.
Sipas Lilës, mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të procesit të lindjes, si dhe frika nga paditë, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e mjekëve.
“Lindja normale kërkon kohë, vigjilencë dhe përgjegjësi të madhe. Ndërsa prerja cezariane kryhet më shpejt dhe shpesh krijon një ndjenjë ‘lehtësimi’ për të gjithë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Lila shton se kjo dukuri nuk është specifike vetëm për Kosovën.
“Është trend në të gjitha vendet. Shifrat janë pothuajse alarmante - gjendja po i afrohet një barazimi mes lindjeve normale dhe atyre me prerje cezariane”, deklaron ai. /REL