Osmani takon kryeministrin e Eswatinit, riafirmohet njohja e Kosovës pavarësisht pretendimeve të Vuçiqit për çnjohje

Osmani takon kryeministrin e Eswatinit, riafirmohet njohja e Kosovës pavarësisht pretendimeve të Vuçiqit për çnjohje

Aktuale February 05, 2026 - 17:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini, takim gjatë të cilit është riafirmuar njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet afrikan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më herët se Eswatini është një nga shtetet që e ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas presidentes Osmani, gjatë takimit është konfirmuar e kundërta.

Në një postim në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini, si dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

“Gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes, pata kënaqësinë ta takoj Kryeministrin e Mbretërisë së Eswatinit, Russell Mmiso Dlamini. Shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për njohjen e hershme të pavarësisë nga Eswatini, si dhe gatishmërinë për të avancuar drejt lidhjes së marrëveshjeve në fusha konkrete me interes të dyanshëm. Po ashtu diskutuam për koordinim më të ngushtë në forume multilaterale”, ka shkruar Osmani.

Pretendimet e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës janë përsëritur edhe në vitin 2023, kur presidenti Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se Beogradi kishte siguruar nëntë çnjohje të njohjes së Kosovës, duke përfshirë edhe Eswatinin.

Këto deklarata ishin mohuar atëkohë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.