Qytetarët paralajmërojnë pjesëmarrje masive në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës
Thirrjet për protestën e kësaj të premte kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike kanë gjetur mbështetjen e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë situatën aktuale ekonomike si të papërballueshme dhe se shtrenjtimi i rrymës për të disatën herë thonë të jetë goditje që për ta.
Demë Fetaj nga Prishtina tha për Ekonominë Online se i përkrah të gjitha protestat.
“Patjetër do t’i përkrah, sepse unë në të gjitha protestat që janë organizuar, edhe para '97-s, kam qenë bashkë me studentët, se kam punuar në Fakultetin Filologjik”, tha ai.
Fetaj adresoi edhe kritika, ai tha se pasuria shtetërore është shitur.
“Shiko, këto janë gabimet e trashëguara nuk dua të gjykoj askëndë, por këto janë shit, këto pasuria jonë, për 22 milionë është shitur KEK-u. Ekspertët kanë thënë njësitë, ato orët, i kushtojnë 22 milionë. Këtu tash na imponohet çmimi. Këtë që e zbatojnë ZRRE-në, këta janë të detyruar prej KEDS-it e KOSTT-it e nuk di unë. Nuk është në rregull, por është vështirë që mund ta gjykosh një gjë. Duhet me këta që e kanë marrë pronën e po e shfrytëzojnë, me ta duhet njeriu të protestojë, ndaj KEDS, KESCO, kush janë ata”, theksoi ai.
Sa u përket pritshmërive nga kjo protestë, ai tha se nuk ka shpresa që do të ketë ndonjë ndikim.
“Jo, kjo e zgjon, si të thuash, ndërgjegjen e atyre organeve përkatëse ndoshta, një fije, por nuk besoj që ndikon shumë, ngaqë ata po dalin me deklarata: ‘Ne po i respektojmë të drejtat e tyre, po i përfillim të drejtat e tyre’. Kjo është një gjykim i padrejtë, ngaqë ne kemi luftuar me mbrojt pragun e shtëpisë, nuk kemi sulmuar kërkënd. Ne jemi sulmuar, ne jemi vrarë, ne jemi masakruar. Akoma janë 1600 -1700 trupa që nuk janë gjetur. Janë 1300 e sa fëmijë, prej gjirit të nënës deri në klasën e parë, ku shumë pak janë gjykuar. Më vjen keq, duhet t’i gjykojmë edhe këta gjykatësit tanë, se po i përcjellin, dënohet për masakra që ka bërë serbi, dënohet me 12 vjet burg ose 13, njërit ia zbritën prej 15 në 13. Nuk e di ku jetojnë ata gjykatës, a e mbrojnë interesin e popullit shqiptar apo flasin përmendsh”, shtoi ai.
Ndërkaq Ali Rexha nga Mitrovica për Ekonominë Online konfirmoi se do të jetë i pranishëm në këtë protestë.
“Po, kismet po, po mendoj me dalë në protesta, me protestu se rryma është tepër mizore, shumë e shtrenjtë, nuk ka kurrfarë lloj arsyetimi. 20% tash zinxhir, edhe buka ka nis me u shtrenjtu, krejt zinxhir”, tha Rexha.
Rexha u shpreh se protesta nuk do të ketë efekt.
“Jo, kurrë s’kanë bë efekt protestat, asgjë, veç me u tregu popullatës që nuk është në rregull. Tjetër gjë s’mundemi me bë, veç me tregu që nuk është në rregull, duhet me qenë me arsye, me logjikë, me bazë, e jo veç me ja fut kot. Nuk e di, s’kam ide”, theksoi ai.
Qytetari u ankua për çmim të shtrenjtë me të cilën është përballur kohëve të fundit.
“Po qysh jo, dje a pardje kam pagu 175 euro kam pagu në Mitrovicë këtu. Edhe me nxemje, se jo me lëshu atë nxemjen qendrore, se shkon 200-300 euro, po duhet pak me reduktu”, shtoi ai.
Ndërsa Bajram Kastrati derisa konfirmoi praninë e tij në këtë protestë, i bëri thirrje qytetarëve që të dalin.
“Gjithsesi, sidomos për rrymë duhet me dalë të gjithë, jo veç unë. Të gjithë, se me u shtrenjtu brenda vitit tri herë, katër herë, tash veç gati po bëhet e pesta, mos gabofsha me 1 prill, kjo është mizeri. Qysh do me i përballu pensioneri me 150-160 euro, me pagu rrymën, me pagu ujin, mbeturinat e çka me hëngër tani? Këtu është, kjo është e pabesueshme”, tha ai.
Edhe Kastrati nuk pati pritshmëri nga kjo protestë.
“Deri sot nuk ka pasë rezultat edhe kësaj here, jo, nuk pres asgjë, se asgjë s’ka pozitive, këtu është e keqja. Rryma është burim, rryma edhe uji është burim i jetës. Tash me u shtrenjtu rryma tri herë në vit, tash 21% me 1 mars, kjo është absurd”, shtoi ai.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.