LDK-ja të shtunën do ta mbajë Kuvendin zgjedhor, Abdixhiku: Koha të flasë anëtarësia
Foto: Laura Hasani

LDK-ja të shtunën do ta mbajë Kuvendin zgjedhor, Abdixhiku: Koha të flasë anëtarësia

Aktuale January 26, 2026 - 11:01
Abdixhiku: LDK-ja nuk frikësohet nga gara, të shtunën është koha të flasë anëtarësia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka folur rreth zhvillimeve të fundit në parti, si dhe për Kuvendin e partisë, që do të mbahet të shtunën.

Abdixhiku u shpreh se LDK-ja nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara.

“Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”.

“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK-ja nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë”.

“Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës. Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, shkroi ai.