Jasharaj paralajmëron rrezik për vonesa pagash nga zvarritja e konstituimit të institucioneve
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësim se vonesat në konstituimin e institucioneve të reja, si pasojë e rinumërimit të votave, mund të çojnë në bllokada buxhetore dhe vonesa në pagesat e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, policët dhe administratën.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një interivistë për Ekonomia Online, tha se vendimi për rinumërim mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtyrjen e mëtejme të procesit zgjedhor, duke vonuar formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, çka sipas tij rrezikon funksionimin normal financiar të shtetit dhe pagesat mujore për punëtorët.
“Kjo situatë që është krijuar është tepër e rëndë, nga se ne pritëm gati një vit që të formohen institucionet dhe pastaj shkuam më 28 dhjetor në zgjedhje, tash doli kjo sihariqi tjetër, dhe me siguri do të shtyhet formimi i institucioneve. Ka pyetje të arsyeshme të njerëzve, por madje edhe në arsim se çka nëse nuk bëhen pagat, nga se buxheti, gjegjësisht Ligji për buxhetin e vitit 2026 ende nuk është aprovuar dhe mund të paraqiten bllokada dhe probleme, sepse po shihet institucionet do të vonohen së themeluari, nga se po shkojmë në rinumërimin e votimeve të tërësishme që e kërkon një kohë dhe kjo nuk ka ndodhur ndoshta në këtë masë kaq të madhe në të kaluarën. Si do qoftë, edhe të mos kishte ndodhur ky rinumërim, jemi vonë nga se një vit e më shumë nuk kemi asnjë institucion. SBASHK edhe sindikatat e tjera janë në pritje, kanë pritur që të formohet edhe Këshilli Ekonomik Social. Pastaj kemi pritur që të jemi të pranishëm edhe në Këshillin Shtetëror të licencimit të mësimdhënësve dhe në komisionet e tjera për të dhënë kontributin tonë, mirëpo nuk ka ndodhur kjo me fajin e MASHT-it, po Këshilli Ekonomik Social me fajin e ministrit në detyrë Hekuran Murati, i cili me vite e ka penguar reformimin e këtij Këshilli”, tha ai.
Jasharaj shtoi se mungesa e dialogut institucional dhe pezullimi i proceseve ligjore po krijojnë pasiguri të madhe për punëtorët e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë.
“Mungon dialogu dhe këto pritje shtojnë numrin e ankesave dhe të kërkesave. Ne kemi pritur se Parlamenti i Kosovës do ta lexojë dhe do ta aprovojë edhe atë kërkesën tonë për ndryshime ligjore për skemat pensionale të financuara nga shteti, nga se padrejtësisht u është mohuar. Kjo skemë u ka mohuar të drejtën punëtorëve të arsimit që t’iu numërohen ato vite si kontributdhënëse dhe kemi pritur me padurim që Parlamenti do ta thotë fjalën e tij, por ja po shihet nuk ka Parlament, nuk ka Qeveri dhe gjërat po rrjedhin kështu. Uroj që të mos ndodh barrikadimi, gjegjësisht bllokimi i pagave, sepse mësimdhënësit e Kosovës, por jo vetëm këta, por edhe policët, edhe administrata dhe zjarrfikësit e të tjerë kryesisht janë në kredi dhe çdo vonesë edhe për kredi do të ketë probleme, por edhe jeta e tyre do të vështirësohej shumë, nga se një pjesë e tyre jetojnë pikërisht me pagën që e marrin”, tha ai.
Ai theksoi se prioriteti i një qeverie të re duhet të jetë rikthimi i dialogut me sindikatat dhe zgjidhja e çështjeve të hapura në arsim.
“Hapat e parë që duhet t’i bëjë (qeveria e re) për mësimdhënësit dhe për sindikatat e tjera është dialogu. Në kohën e qeverisë së kaluar, po them tani, Kurti nuk ka pasur fare dialog, urojmë që të vijë një qeveri e cila do t’i dëgjojë kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve për t’u ulur dhe biseduar. Pika më e nxehtë te arsimi është mungesa për momentin e kontratës kolektive, nga se ministrja Nagavci i ka ikur detyrës që ka pasur për t’u ulur me ne për të formuar komision dhe për ta nënshkruar. Shteti ynë në vendet e rralla të botës që nuk ka as marrëveshje kolektive, që vlen për të gjithë, e nuk ka as kontrata kolektive. Asnjëherë nuk pyetëm as për Ligjin e pagave, në vend që të ngritet vlera e koeficientit është rritur vetë koeficienti dhe është krijuar një amulli”, tha ai.