“Të vjella dhe dhimbje barku nga qumështi formulë”, eksperti i sigurisë ushqimore flet për dëmet

“Të vjella dhe dhimbje barku nga qumështi formulë”, eksperti i sigurisë ushqimore flet për dëmet

Aktuale January 19, 2026 - 12:39

Eksperti i sigurisë ushqimore, Granit Sokolaj, ka sqaruar në emisionin “Dita Jonë” rreziqet që lidhen me disa lote të qumështit formulë për foshnja, të cilat janë tërhequr nga tregu pas sinjalizimeve për përmbajtje të një toksine të rrezikshme.

Sipas tij, bëhet fjalë për një toksinë që vjen nga lëndët bimore bazë, si gruri dhe niseshteja, dhe që mund të mbijetojë edhe pas përpunimeve termike.

Kjo toksinë, sipas studimeve, shkakton te foshnjat të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë, simptoma që shpesh mund të ngatërrohen me viroza stinore.

Sokolaj theksoi se produkti është tërhequr fillimisht nga vetë kompania prodhuese dhe më pas nga autoritetet përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë përmes sistemit evropian të alarmit ushqimor.

Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për të gjithë markën, por vetëm për disa lote të caktuara, të cilat janë publikuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Eksperti u bëri thirrje prindërve të kontrollojnë me kujdes numrin e lotit të produktit që kanë në shtëpi dhe të mos krijojnë panik të panevojshëm, pasi produktet aktualisht në treg janë të sigurta. Ai këshilloi gjithashtu që, kur është e mundur, ushqyerja me gji të mbetet zgjedhja kryesore për foshnjat. (A2 Televizion)