KMDLNJ-ja bën thirrje për protestë, pas rritjes së çmimeve
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimeve të shërbimeve bazike, duke vlerësuar se viti 2026 ka nisur me goditje të reja për qytetarët e Kosovës, të cilët tashmë po përballen me vështirësi të theksuara ekonomike.
Sipas KMDLNJ-së, nga janari i këtij viti faturat e ujit do të rriten deri në 40 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit të energjisë elektrike, çka pritet të sjellë fatura edhe më të larta për rrymën. Organizata thekson se këto rritje po ndodhin në një kohë kur faturat e energjisë janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, ndërsa bizneset po rrezikojnë seriozisht falimentimin.
KMDLNJ-ja akuzon qeverinë për mungesë kujdesi dhe vullneti për mbrojtjen e qytetarëve, duke pretenduar se ZRRE-ja po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, ndërkohë që, sipas tyre, po mbrohen interesa të oligarkëve të përfshirë në atë që e quajnë “Mafia Energjetike”. Për këtë arsye, KMDLNJ-ja ka kërkuar hetim institucional ndaj ZRRE-së.
Organizata paralajmëron se shtrenjtimi i ujit dhe energjisë elektrike do të ketë efekte zinxhirore, duke rritur çmimet e artikujve të tjerë esencialë dhe të shërbimeve bazike, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në përkeqësimin e cilësisë së jetës dhe në mbylljen e bizneseve.
Duke vlerësuar se faturat e rrymës janë tashmë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe sektorin privat, KMDLNJ u bën thirrje qytetarëve që të kundërshtojnë këto shtrenjtime përmes protestave masive dhe bllokimit të zyrave të ZRRE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Po ashtu, organizata fton pozitën dhe opozitën që të mbrojnë interesin e qytetarëve dhe jo, siç thuhet në reagim, interesat e “Mafies Energjetike”.
KMDLNJ-ja kërkon nga ZRRE-ja dhe Qeveria që të sqarojnë publikisht shkallën e inkasimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës dhe arsyet pse çmimi i rrymës atje është më i ulët krahasuar me pjesën tjetër të vendit, duke paralajmëruar se në mungesë të reagimit institucional dhe politik, vala e shtrenjtimit vetëm sa do të thellohet. /Zëri