Osmani, e hapur për çdo verifikim të pasurisë nga Agjencia kundër Korrupsionit
Foto: Laura Hasani

Osmani, e hapur për çdo verifikim të pasurisë nga Agjencia kundër Korrupsionit

Aktuale January 06, 2026 - 10:22

Nga Zyra e Presidentes së Kosovës kanë reaguar lidhur me pretendimet e fundit që po qarkullojnë në disa media se Agjencia kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Në një prononcim për “Zërin”, këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se deri tani nuk kanë informacion zyrtar nga Agjencia kundër Korrupsionit për një hap të tillë, por ai shtoi se presidentja Osmani është e gatshme të mirëpresë çdo proces të verifikimit nga institucioni përkatës.

Sipas Kupinës, çdo verifikim duhet të jetë i bazuar në parime të qarta të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, respektimit të ligjit dhe fakteve të vërteta.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, por Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, tha Kupina për “Zërin”.