Abdixhiku uron Krishtlindjet: Kosova është shembull i harmonisë fetare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.
Ai tha se kjo ditë na e kujton se sa shumë vlerë ka të falim njëri-tjetrin e të sakrifikojmë për të mirën e përbashkët, shkruan Zeri.info.
“Të gjithë besimtarët e krishterë, shënojnë e festojnë Krishtlindjen. Lindjen e shpresës, e dritës që mposht errësirën, e besimit se dashuria dhe mëshira janë gjithmonë më të forta se çdo vështirësi”, u shpreh Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se Kosova dhe shqiptarët kanë qenë gjithmonë shembull i harmonisë fetare.
“Kjo vlerë e shenjtë e jona na ka mbajtur bashkë në ditë të vështira dhe na ka bërë më të fortë si shoqëri. Krishtlindja e sivjetme le të jetë një thirrje e re për më shumë mirësi, më shumë respekt dhe më shumë solidaritet mes nesh.
Uroj nga zemra që kjo festë t’ju gjejë pranë familjeve tuaja, me shëndet, paqe dhe plotë shpresë për të ardhmen. Që dhurata më e madhe të jetë buzëqeshja e atyre që doni dhe koha e çmuar e kaluar bashkë”, shkroi Abdixhiku. /Zëri