Vdekja e babait të Salih Mustafës, OVL UÇK-ja reagon ndaj Speciales: Tejkalove çdo kufi të drejtësisë

Vdekja e babait të Salih Mustafës, OVL UÇK-ja reagon ndaj Speciales: Tejkalove çdo kufi të drejtësisë

Aktuale December 25, 2025 - 12:14

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciales pas vdekjes së Jahja Mustafës, babait të Salih Mustafës.

Para disa ditësh Cali i kishte kërkuar Speciales që ta vizitonte babanë e tij, i cili kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk ishte lejuar që ta vizitonte.

Me këtë rast, OVL UÇK-ja ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e një vizite humanitare.

“Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale”, shkruhet në reagim.

Ndër të tjera, në këtë reagim thuhet se mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.

“Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja”.