BE: Mungesa e normalizimit Kosovë–Serbi pengon progresin evropian të të dyja palëve

BE: Mungesa e normalizimit Kosovë–Serbi pengon progresin evropian të të dyja palëve

Aktuale December 17, 2025 - 22:37

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të pengojë të dyja palët në rrugën e tyre drejt integrimit evropian, sipas Deklaratës së miratuar në Samitin BE–Ballkani Perëndimor.

Në dokumentin e lëshuar pas samitit, BE-ja thekson se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duhet të zbatohen, duke përfshirë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin e saj.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i mbajë prapa të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane. Të gjitha marrëveshjet e arritura nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçanërisht Marrëveshja për normalizim dhe Aneksi për zbatim"."Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.

BE-ja njofton gjithashtu se mbështetja financiare dhe politike përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor do të kushtëzohet me angazhim konstruktiv dhe përparim të matshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Deklarata u miratua nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, por Serbia nuk është harmonizuar me këtë dokument, pasi askush nga përfaqësuesit e saj nuk mori pjesë në samit./Telegrafi.