Osmani sqarohet për fotografinë me të dyshuarin për vrasjen e trefishtë në Gjilan

Osmani sqarohet për fotografinë me të dyshuarin për vrasjen e trefishtë në Gjilan

Aktuale August 10, 2025 - 21:54

Në media ka qarkulluar të dielën një fotografi e Mefail Shkodrës, të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan me disa nga figurat e njohura politike në vend, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani.

Kjo e fundit ka reaguar për këtë, duke thënë se është manipulim me qëllim të keqinformimit të opinionit public, sepse fotografia është bërë në një ambient publik, raporton Zeri.info.

“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse ‘shoqërim’ janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet në sqarimin nga Presidenca e Kosovës.

Po ashtu, bëhet e ditur se Osmani u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta vendosin drejtësinë në vend për këtë rast.

“Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet ndër tjera. /Zëri