Kushtetuesja konstaton se Apeli shkeli të drejtën për gjykim brenda afatit të arsyeshëm në kontestin e punës
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja konstaton se Apeli shkeli të drejtën për gjykim brenda afatit të arsyeshëm në kontestin e punës

Aktuale March 13, 2025 - 17:37

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin përmes të cilit ka konstatuar se ka pasur shkelje të Kushtetutës në rastin e Bashkim Hasit, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën e Apelit në lëndën ndaj tij në kontestin për marrëdhënien e punës.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja konstatoi njëzëri se ka pasur shkelje e nenit 31 të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili siguron të drejtën për një proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm.

Rasti lidhet me një kontest gjyqësor të zvarritur për mbi 12 vite, që ka të bëjë me kërkesën për kompensim të dëmit material dhe jomaterial, pas largimit të parashtruesit nga puna në vitin 2008. Bashkim Hasi, i cili mbante pozitën e drejtorit financiar në kompaninë “Radoniqi” në Gjakovë, u suspendua fillimisht nga puna në vitin 2007, me arsyetimin se ndaj tij ishin nisur hetime për keqpërdorim financiar. Më pas, në vitin 2008, atij iu ndërpre përfundimisht marrëdhënia e punës.

Pas një procesi të gjatë ligjor, në vitin 2012, Gjykata Komunale vendosi në favor të tij, duke e shpallur të paligjshme ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Megjithatë, pas kësaj, Hasi nisi një tjetër proces gjyqësor për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, i cili u përballë me vonesa të mëdha procedurale. Gjykata Themelore, në vitin 2014, e miratoi kërkesën e tij dhe caktoi dëmshpërblimin në shumën 24 mijë e 284 euro e 77 centë, por ky vendim u apelua nga punëdhënësi dhe procesi u kthye disa herë për rigjykim, duke e mbajtur çështjen të hapur. Apeli kishte thënë se presin ta përfundojnë në fund të vitit 2024.

“Gjykata merr parasysh periudhën nga viti 2012 (kur parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore për kompensimin e dëmit material dhe jo material si rezultat i largimit të kundërligjshëm nga puna) deri më 7 tetor 2024 (kur parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën e tij në Gjykatë për shkak se çështja kontestimore ende nuk ka përfunduar me vendim të formës së prerë). Procedura gjyqësore zgjati 12 vite dhe akoma nuk ka përfunduar”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese theksoi se një proces gjyqësor që zgjat mbi 12 vite përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, pasi rasti nuk ishte kompleks dhe nuk kërkonte një shqyrtim të zgjatur, parashtruesi i kërkesës nuk kishte ndikuar në vonesat procedurale dhe se gjykatat e rregullta nuk kishin vepruar me urgjencë, ndonëse bëhej fjalë për një kontest nga marrëdhënia e punës, i cili duhet të zgjidhet brenda një afati të arsyeshëm.

“Gykatat e rregullta kanë mundur të tregoheshin më të shpejta dhe ta zgjidhnin kontestin kohë më parë. Për Gjykatën nuk është me rëndësi fakti nëse Gjykata e Apelit do të marrë një vendim përfundimtar dhe kontesti të marrë fund, pasi në çdo rrethanë periudha 12 vjeçare nuk mund të konsiderohet e arsyeshme për zgjidhjen e kontestit nga marrëdhënia e punës”, thuhet tutje.

Bazuar në këto konkluzione, Gjykata Kushtetuese konstatoi që kohëzgjatja e procesit gjyqësor përkitazi me lëndën [Ac.nr. 1148/22] në Gjykatën e Apelit, përbën shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm kohor. /BetimipërDrejtësi