
Aksidenti tragjik në fshatin Galicë të Vushtrrisë, reagon ministrja e Arsimit
Një person ka vdekur edhe shtatë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Galicë të Vushtrrisë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Galicë ku si pasojë ka humbur jetën shoferi i kësaj linje Hajzer Sadiku dhe janë lënduar disa nxënës.
Lidhur me këtë aksident tragjik ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“E prekur thellë nga lajmi tragjik i aksidentit në fshatin Galicë të Vushtrrisë, ku humbi jetën shoferi i minibusit dhe u lënduan disa nxënës që po udhëtonin për në shkollë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadiku për humbjen e të dashurit të tyre. Në këto momente të vështira, jemi pranë jush me zemër dhe mendje”.
“Lutem për shërimin e shpejtë të nxënësve të lënduar dhe uroj që të rikuperohen sa më parë e të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre. Ngjarje të rënda si kjo, na rikujtojnë për rëndësinë e kujdesit dhe përgjegjësisë në komunikacion”, ka shkruar ministrja në Facebook.