
Hoxhaj për Erhard Busekun: Miku që ndërkombëtarizoi pavarësinë e Kosovës
Prishtina, sot në hapësirën e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, inauguron sheshi “Erhard Busek”, në nderim të mikut të madh të Kosovës, dr. Erhard Busek, i cili ka luajtur një rol kyç në mbështetjen dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës gjatë viteve ’90.
Ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka ndarë një rrëfim të veçantë me ish-zëvendëskancelari dhe ministri i Arsimit i Austrisë, Erhard Busek, për të cilin thotë se ishte ndër të parët që njohu diplomat e Universitetit të Prishtinës në kohën kur regjimi serb i Millosheviqit kishte mbyllur këtë institucion.
“Gjatë viteve 1990, Buseku ishte ndër adresat e para politike për shqiptarët e Kosovës në Austri, ku për herë të parë u takova me të në vitin 1994, por më pas u takuam rregullisht dhe bashkëpunuam ngushtë me të, me Albert Rohan, me Wolfgang Petritsch, me Hannes Swoboda e shumë miq të tjerë në mbështetje të Kosovës”, shkroi Hoxhaj.
Përmes një postimi në Facebook, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili kishte takuar Busekun për herë të parë në vitin 1994, u shpreh se Buseku ishte një nga mbështetësit më të fuqishëm perëndimorë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Hoxhaj vlerësoi rolin e tij kyç në procesin e negociatave të Vjenës për statusin final të Kosovës, duke e cilësuar atë si një mentor të jashtëzakonshëm dhe një mik të përjetshëm të popullit të Kosovës.
“Inaugurimi i sheshit ‘Erhard Busek’ është një gur i rëndësishëm në themelin e miqësisë austriako-shqiptare, e cila daton që nga koha e rilindësit të madh Pjetër Bogdani dhe aleatëve të tij habsburgë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Në këtë ngjarje simbolike, Kosova nderon një figurë që dha kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetformimin e vendit.