Dështon të nisë gjykimi ndaj Riza Alshqit, i akuzuar për biznesin me “Rent a Car” në pronën e MPB-së

Dështon të nisë gjykimi ndaj Riza Alshqit, i akuzuar për biznesin me “Rent a Car” në pronën e MPB-së

Aktuale March 13, 2025 - 13:11

Për shkak se i akuzuari Riza Alshiqi gjendet jashtë vendit, ka dështuar të nisë gjykimi ndaj tij të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme po akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë, saktësisht shfrytëzimin e pronës së Ministrisë për të zhvilluar biznesin privat “Riza Renta Car”.

Aktakuza ndaj Alshiqit u ngrit pasi “Betimi për Drejtësi” më 15 prill 2023, publikoi hulumtimin “Biznes me “Rent a Car” në parking të ministrisë”, ku tregohej se si i njëjti, krahas punës në ministri, si punë sekondare bënte biznesin me dhënie të veturave me qira. Për këtë, ai e ka shfrytëzuar pronën e shtetit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla, njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Alshiqi, avokati Hajzer Salihu përmes një parashtrese të dorëzuar në gjykatë ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi i mbrojturi i tij nuk mund të paraqitet në gjykatë për shkak se gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë seancë, avokati Salihu i propozoi Gjykatës që të caktohet seanca në një afat të arsyeshëm kur Alshiqi mund t’i përgjigjet thirrjes së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me mirësi ka kërku nga Gjykata nëse është e mundur që seancën e radhës ta caktojë pasi që i njëjti do të jetë në Kosovë nga data 20 maj deri më 15 qershor dhe në këto data kurdo që gjykata e vlerëson ne jemi të gatshëm dhe do t’i përgjigjemi ftesës së gjykatës”, tha avokati.

Meqenëse prokurori Eset Rama, nuk e kundërshtoi propozimin e avokatit Salihu, si dhe në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Syla ndërpreu seancën dhe të radhës e caktoj për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 shkurt 2025, Riza Alshiqi akuzohet se nga dhjetori i vitit 2020 deri në muajin prill të vitit 2023 në kohë të ndryshme, në parkingun dhe lokalet Ministrisë së Punëve të Brendshme në Objektin e Ri te Qeverisë, në vazhdimësi, në cilësinë e zyrtarit të lartë për monitorimin e transportit qeveritar në MPB i njëjti duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin dhe duke pasur qasje për shkak të detyrës së tij në zyrë dhe në parkingun e objektit qeveritar, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete, gjatë orarit të punës e shfrytëzon pronën e Ministrisë duke zhvilluar aktivitetin e biznesit të tij privat “Riza Renta Car”.

Aktakuza thotë se Alshiqi ka shfrytëzuar pa autorizim parkingun e Ministrisë së Punëve te Brendshme në objektin e ish-Rilindjes për veturat e biznesit të tij privat, duke futur persona- klientë të biznesit të tij brenda objektit shtetëror dhe duke e shmangur kontrollin e personave në hyrje, më pas në zyrën e tij të detyrës zyrtare, duke shfrytëzuar kompjuterin zyrtar dhe pajisjet e zyrës ka lidhur kontrata me persona të ndryshëm për dhënien me qira të veturave të tij.

Me këto veprime, i pandehuri Riza Alshiqi akuzohet se në vazhdimësi ka kryer vepren penale “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” nga Neni 420, lidhur me Nenin 77 të Kodit Penal.

Ndryshe, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”, Komisioni Disiplinor në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 9 qershor 2023 kishte marrë vendim për largimin nga shërbimi civil të zyrtarit të lartë për monitorimin e transportit qeveritar, Riza Alshiqin.

Më pas, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KPMSHCK), e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Alshiqit për largimin e tij nga puna si shërbyes civil në MPB. /BetimipërDrejtësi