Agim Kuka zgjidhet zëvendëskryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj

Agim Kuka zgjidhet zëvendëskryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj

Aktuale March 13, 2025 - 12:23

Në takimin e 264-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me votat e të gjithë anëtarëve, Agim Kuka është zgjedhur zëvendëskryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Kryesuesi i Këshillit, Ardian Hajdaraj, paraprakisht tha se Kuka i plotëson të gjitha kriteret dhe se është propozuar nga kryeprokurori i kësaj prokurorie, Burim Qerkini.

Kryesuesi Hajdaraj po ashtu njoftoi se mandatin Kukës do të jetë katërvjeçar me mundësi rigjedhje edhe një herë.

Në këtë takim u hoq nga rendi i ditës pika: Plani Strategjik dhe Plani i Veprimit i Sistemit Prokurorial për vitet 2025-2027.

Kjo pasi që paraprakisht kryesuesja e grupit punues, njëherit zëvendeskryesuese e Këshillit, Jehona Grantolli tha se nga zyra e BE-së kanë pranuar disa komente në ditët e fundit.

Lidhur me këtë, anëtari i Këshillit, Jetish Maloku tha se nuk është kundër që të shtyhet por se nuk është në rregull të jepen komente në momente të fundit kur dihen afatet dhe se Këshilli nuk pasqyrohet mirë duke heq pika nga rendi i ditës kësisoj.

Po ashtu, në këtë takim u miratuan plani i punës së Sekretariatit të KPK-së, si dhe ai i vetë Këshillit për vitin 2024.

Gjatë elaborimit të këtyre raporteve, drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi tha se nuk është miratuar asnjë pozitë në sistemin prokurorial nga ana e Qeverisë.

Më pas, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, njëherit anëtari i Këshillit, Besim Kelemend pyeti se si pritet të performojë mirë sistemi prokurorial pa mbështetje financiare, duke shtuar se është për të ardhur keq se nuk është miratuar asnjë pozitë e lirë.

Këshilli në këtë takim miratoi kërkesën e kryeporkurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, duke e formuar panelin hetimor për hetim të shkelje të pretenduar disiplinore nga një prokuror në këtë Prokurori. /BetimipërDrejtësi