
Gërvalla i dënoi tre redaktorët e RTK-së për një kronikë të lajmeve për Kurtin, reagon AGK-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin e madh pas konfirmimit të dënimit të tre redaktorëve të Transmetuesit Publik, RTK, nga ana e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla.
Jehona Zhitia, Valon Bajrami dhe Arton Mulliqi janë dënuar për shkak të mos-transmetimit në edicionin e vonë të lajmeve të një kronike për Qeverinë dhe Kryeministrin Kurti.
Redaktorët kanë pohuar se kronika në fjalë “nuk i ka plotësuar standardet profesionale”, dhe se raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë.
AGK-ja e konsideron këtë dënim brutal dhe të papranueshëm. Redaktorët e transmetuesit publik duhet të kenë pavarësinë e plotë për të marrë vendime redaktoriale, ashtu siç e shohin të përshtatshme.
“Një ndërhyrje e tillë është krejtësisht politike dhe vazhdimësi e tendencës së partisë në pushtet, Vetëvendosje, për të ushtruar kontroll total mbi RTK-në. Kjo po bëhet përmes drejtorit Gërvalla, një ish-aktivist dhe donator i kësaj partie politike”, thuhet në reagim.
AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe redaktorët e Transmetuesit Publik që të vazhdojnë punën e tyre në interes të publikut, pavarësisht pengesave dhe presioneve.