
Maqedonci për FSK-në në veri: Do ta respektojmë zotimin, pavarësisht që s’pajtohemi me kufizimet
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të letrës së ish-kryeministrit Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku jepet zotimi se FSK nuk shkon në veri pa pëlqimin paraprak të NATO-s.
I pyetur nga gazetarët në konferencën për media, ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të kësaj letre, por se do ta respektojnë “pavarësisht se nuk pajtohen”.
“Sa i përket respektimit të zotimit të vitit 2013 sepse shpesh është keqinterpretuar edhe një letër që e kam dërguar pikërisht për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim dhe ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi vazhduar të theksojmë gjithmonë që do të respektojmë zotimin e vitit 2013, pavarësisht që ne nuk pajtohemi assesi me kufizimet që ka për veprim FKS në veri të vendit pa koordinim paraprak me KFOR-in mirëpo do të vazhdojmë ta respektojmë këtë zotim duke u koordinuar gjithmonë paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa eventualisht në pjesën veriore, më saktësisht në katër komunat veriore të vendit tonë”, u shpreh Maqedonci.
“Normalisht që ne në vazhdimësi ofrojmë kapacitete tona që të jemi në mbështetje të KFOR-it dhe gjitha institucioneve të sigurisë aty ku shihet e nevojshme t’i kemi dhe vazhdojmë t’i diskutojmë që FSK të jetë pjesë e përpjekjeve të KFOR-it për paqe dhe stabilitet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Maqedonci. /eo