
Bislimi në Poloni, pjesëmarrës në ministerialin ku temë ishin “kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit”
Me ftesë nga ministri për Bashkimin Evropian të Polonisë, Adam Szwapka, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin informal ministerial të organizuar nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së, ku temë diskutimi ishte “Kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit dhe kundërpërgjigja potenciale ndaj tyre”.
Sipas njoftimit për media nga Qeveria thuhet se prezentë në këtë takim ishin ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa, duke përfshirë shtetet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim, krahas edhe Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Në hyrje të ngjarjes, ministri Adam Szwapka, shprehu se procesi i zgjerimi të BE-së është prioritet edhe për presidencën aktuale të Polonisë dhe është e rëndësishme ndarja e eksperiencave dhe përballjen e përbashkët në ballafaqimin me kërcënimet hibride, gjersa komisionerja Marta Kos theksoi investimet dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim dhe mbështetjen ndaj procesit të zgjerimit përkundër këtij kërcënimi.
“Në adresimin e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat edhe Kosova është përballur dhe arsyet pse vendi ynë është target i sulmeve të huaja e ndërhyrjeve nga jashtë. Ai foli edhe mbi sulmet e vazhdueshme ndaj shtetit tonë dhe sigurisë kombëtare, i fundit ai në infrastrukturë kritike, në kanalin e Ibër-Lepencit nëntorin e vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
Më tej, zëvendëskryeministri përmendi dhe sulmet në faqen e internetit të KQZ-së në zgjedhjet e fundit në vendin tonë, por edhe shpërndarjet e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, veçanërisht përgjatë fushatës së zhvilluar, një rast prej tyre lajmi i rremë mbi rritjen e çmimit të energjisë për 35% vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Zëvendëskryeministri shprehu nevojën për sa më shumë unitet në Evropë dhe qasje të përbashkët në përballjen me sfidat që vijnë nga kërcënimet e sulmet hibride. /Zëri