Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve
Foto: Laura Hasani

Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve

Aktuale February 14, 2025 - 14:31

Ambasada e Kosovës në Austri ka njoftuar se nga data 1 mars do të hyjë në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të patentës së shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Austri.

“Të nderuar bashkatdhetarë, sapo jemi njoftuar zyrtarisht se nga data 1 mars 2025 hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të patentës së shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë një patentë shoferi të vlefshme të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës nuk kanë më nevojë të japin provim praktik për konvertimin e saj në një patentë austriake”, thuhet në njoftim.

Ky lehtësim vlen për të gjitha kategoritë e patentave të shoferit të lëshuara në Republikën e Kosovës.