Veliaj reagon sërish nga burgu, thotë se ka zbuluar një “skandal të madh” në sallën e gjyqit

Veliaj reagon sërish nga burgu, thotë se ka zbuluar një “skandal të madh” në sallën e gjyqit

Aktuale February 13, 2025 - 17:39

Një ditë pas vendimit të GJKKO për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar vetë Veliaj përmes një postimi në Facebook.

Ai pretendon se ka zbuluar një “skandal të gjyqit”, sepse në dosjen figuron si një i dënuar, raporton Zeri.info.

Veliaj thotë se ky detaj e ka tronditur, sepse ai thotë se dëshmia e tij kundrejt akuzave është bërë në mënyrë të duhur dhe është e pastër.

“Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.

Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes”, thuhet në reagimin e tij.

Kreu i bashkisë së Tiranës thotë se në dosjen e tij janë bërë edhe gabime të tjera e të cilat thotë se do t’i publikojë në ditët në vijim.

“Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit”, shkroi ai më tej. /Zëri