![Kurti takohet me Sorensenin, tregon hapat që Serbia duhet t’i marrë për të ecur përpara në dialog](/uploads/zeri.info/images/2025/February/14/auto_ZKM_-_14_2__2025_11739538542.jpg)
Kurti takohet me Sorensenin, tregon hapat që Serbia duhet t’i marrë për të ecur përpara në dialog
“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq”, ka thënë kryeministri Albin Kurti sot në një takim që ka pasur me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Takimi është zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, transmeton Zeri.info.
“Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sorensenin për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile. Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah”.
“Sa u përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kurti tha se është absurde që presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin. /Zëri