10 shkurti 2006, dita kur Fatmir Sejdiu u zgjodh president
Foto: Laura Hasani

10 shkurti 2006, dita kur Fatmir Sejdiu u zgjodh president

Aktuale February 10, 2025 - 08:42

Të premten e 10 shkurtit 2006 Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës. Me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, Sejdiu u zgjedh president pas tri raundesh votimi.

Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kështu Sejdiu do të vazhdonte mandatin e Ibrahim Rugovës deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në seancën solemne të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit ishin të pranishëm 110 deputetë.

Por Sejdiu nuk mundi ta përfundonte mandatin e tij pesëvjeçar, ashtu siç është e paraparë edhe me Kushtetutë të Kosovës.

27 shtator të vitit 2010, ai dha dorëheqjen e tij nga ky posti i presidentit pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese konstatonte se Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference për media, ku tha se postin e presidentit e kishte ushtruar me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si president i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur. Unë tërë jetën time kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë”, pati deklaruar Sejdiu.

Ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese.

Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë të Besianës, ndërsa jeton në Prishtinë. Ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka fituar gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në këtë universitet.