![Bislimi pret në takim vëzhguesit e zgjedhjeve nga Parlamenti Evropian](/uploads/zeri.info/images/2025/February/08/auto_8.2.2025_ZKM_11739021378.jpg)
Bislimi pret në takim vëzhguesit e zgjedhjeve nga Parlamenti Evropian
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim, një delegacion nga Parlamenti Evropian, i cili po monitoron e vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë.
Në këtë takim, delegacioni drejtohej nga eurodeputetja nga Portugalia, Marta Temido, e cila është edhe kryetare e delegacionit portugez të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian që nga viti i kaluar.
Prezent ishin dhe eurodeputetë nga Kroacia, Gjermania, Italia, Franca dhe Belgjika.
Gjersa e njoftoi delegacionin me sukseset dhe të arriturat e qeverisë përgjatë këtij mandati qeveritar, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi ndër të tjera edhe rritjen ekonomike, rishpërndarjen e saj drejt qytetarëve, rritjen e pagës minimale, uljen e papunësisë, politikat incentivuese për gratë e avancimin në integrimin evropian.
Në vijim, foli edhe për zgjedhjet e nesërme dhe fushatën e zhvilluar përgjatë këtij muaji. Theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ditës së nesërme, veçanërisht në mbarëvajtjen e tyre, për një proces demokratik dhe transparent.
Zëvendëskryeministri e falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht atë në përkrahjen drejt rrugëtimit në integrimin evropian. /Zëri