Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna deklarohen të pafajshëm, Ymer Dragusha pranon fajësinë

Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna deklarohen të pafajshëm, Ymer Dragusha pranon fajësinë

Aktuale February 07, 2025 - 14:06

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe i akuzuari Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm, kurse i pandehuri Ymer Dragusha ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë lidhur me akuzën për keqpërdorimet në KEK.

Deklarimin rreth fajësisë të njëjtit e kanë bërë në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se dy të akuzuarit Krasniqi dhe Zejna, dhe mbrojtësit e tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Paraprakisht, prokurorja Fejzullahu bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Dragusha për pranimin e fajësisë.

Ajo tha se në bazë të kësaj marrëveshje të arritur, i pandehuri Dragusha është pajtuar me dënimin e rekomanduar dhe obligimeve tjera të arritura me këtë marrëveshje.

“Bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë për të akuzuarin Ymer Dragusha, konsiderojmë se e njëjta është e lidhur ne përputhje të plotë për 4 vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëkryerje me të pandehurin Nagip Krasniqi e arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme që ky pranim fajësie është bërë në mënyrë vullnetare në konsultim me mbrojtjen dhe anën tjetër me të gjitha provat materiale dhe jomateriale që mbështet aktakuza. I pandehuri Ymer Dragusha është pajtuar me llojin e dënimit të rekomanduar nga ana e Prokurorisë dhe rregullimet tjera që janë me këto marrëveshje. Për pikën 1 është rekomanduar dënimi me kohëzgjatje për 8 muaj, për pikën 2 në kohëzgjatje 6 muaj, për pikën 3 me 6 muaj e veprën penale nga dispozitivi i katërt 6 muaj, e që me dënim unik është llogaritur me 2 vjet, i cili nuk do të ekzekutohet, nëse i cili pandehuri përmbush këto kushte. Kushtëzimi vie në detyrimin e tij që të plotësojë detyrimet e tij si dëshmitar bashkëpunues e datës 19 maj 2023. I propozoj ta shpall fajtor dhe ta dënojë me dënimin e rekomanduar”, tha prokurorja Fejzullahu.

Edhe mbrojtësj e të akuzuarit Dragusha, avokatja Sabrije Krasniqi tha se i mbrojturi i saj është njoftuar për obligimet dhe pasojat e kësaj marrëveshje dhe se pranimin e fajësisë i njëjti e ka bërë në mënyrë vullnetare.

“Andaj, duke vlerësuar se një marrëveshje e tillë është lidhur konform dispozitave ligjore, i propozoj gjykatës që ta pranojë këtë marrëveshje dhe ta shqiptojë dënimin e propozuar”, tha avokatja Krasniqi.

Marrëveshja mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Dragusha është aprovuar nga gjykata. Ndërsa gjyqtari Rrahman Beqiri njoftoi se gjykata merr aktvendim që shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Dragusha të shtyhet deri në përfundim të tërësishëm të kësaj çështje penale.